Gazetaria dhe letërsia shqiptare janë në zi. Gazetarja dhe shkrimtarja e njohur, Rezarta Reçi, është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me një sëmundje të rëndë.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga familjarët e saj, të cilët përmes një njoftimi prekës kanë bërë të ditur se ajo u shua në paqe, e rrethuar nga dashuria dhe përkujdesja e njerëzve më të afërt deri në momentet e fundit të jetës.
“Rezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit dhe përkushtimit të miqve, të afërmve dhe mjekëve që i qëndruan pranë gjatë gjithë sfidës së saj,” thuhet në mesazhin e familjes.
Rezarta Reçi lë pas një trashëgimi të vyer profesionale. Ajo u shqua për vite me radhë si gazetare, autore dhe moderatore emisionesh televizive, duke u bërë një zë i veçantë në gazetarinë kulturore shqiptare. Me finesë dhe përkushtim, ajo kontribuoi jo vetëm me artikuj dhe telereportazhe, por edhe me një model njerëzor të ndjeshëm dhe dinjitoz.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së saj lidhet me Radio Tirana 1, ku përmes emisioneve të njohura si “Kur themi të dua!” dhe “Zërat e mesnatës”, krijoi një lidhje të veçantë shpirtërore me dëgjuesit, duke trajtuar tema të dashurisë, poezisë dhe reflektimit njerëzor.
Përveç gazetarisë, Rezarta Reçi ishte edhe autore librash, ku spikat vepra “Zhbërja”, një libër që trajton marrëdhëniet njerëzore dhe procesin e rindërtimit të vetes. Shkrimi dhe krijimtaria mbetën forca e saj edhe gjatë përballjes me sëmundjen.
Ikja e saj përbën një humbje të madhe për familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor shqiptar, i cili do ta kujtojë gjithmonë për ndjeshmërinë, përkushtimin ndaj fjalës dhe dashurinë për të bukurën dhe të vërtetën.


