Një ngjarje e rëndë ka tronditur Lezhën mbrëmjen e sotme, ku një 65-vjeçar është gjetur i dhunuar dhe më pas i vrarë me armë zjarri në zonën e Tales. Viktima është identifikuar si Gjergj Tusha, banues në Pllanë të Lezhës.
Trupi i pajetë u gjet nga policia në breg të lumit Mat, disa orë pasi vajza e tij kishte raportuar humbjen e kontaktit me të. Nga këqyrja paraprake rezultoi se 65-vjeçari kishte shenja dhune në trup dhe një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga armë zjarri.
Hetimet kanë zbuluar një të kaluar të dhunshme brenda familjes. Viktima kishte kërkuar tre herë urdhër-mbrojtjeje nga i biri, në periudha të ndryshme:
Në vitin 2020 për dhunë psikologjike
Në vitin 2022 për dhunë fizike dhe psikologjike
Në vitin 2023, djali ishte arrestuar për dhunë ndaj tij.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe për identifikimin e autorëve. Në terren janë angazhuar edhe forcat speciale të sigurisë dhe Policia e Shkodrës, të cilat po kontrollojnë zonën për kapjen e të dyshuarve.


