Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Tale të Lezhës, ku një person është gjetur i vdekur pranë hidrovorit. Viktima është identifikuar si Gjergji Tusha, 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.
Banorët e zonës e kanë konstatuar trupin dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë. Nga inspektimi paraprak është konstatuar se Tusha kishte plagë nga armë zjarri, duke ngritur dyshime për një ngjarje kriminale.
Sipas njoftimit të Policisë: rreth orës 14:40 vajza e tij kishte raportuar humbjen e kontaktit me të, ndërsa disa orë më pas, rreth orës 17:30, trupi u gjet në breg të lumit Mat.
Një grup i posaçëm hetimor është ngritur dhe po punon nën drejtimin e Prokurorisë për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor dhe kapjen e autorit/ve. Shërbimet e Policisë dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë po kryejnë kontrolle në zonë për të lokalizuar autorët.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Informacion paraprak Rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar shtetasja A. Gj., duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T. Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, po kontrollojnë në zonë me qëllim kapjen e autorit/ve.


