Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar në një intervistë telefonike për Fox News se Irani mund të kontaktojë Uashingtonin në çdo moment nëse dëshiron të nisë negociata për përfundimin e konfliktit mes dy vendeve.
“Nëse duan të flasin, mund të vijnë tek ne ose të na telefonojnë. Ka një telefon. Ne kemi linja të sigurta,” u shpreh Trump, duke shtuar se beson që lufta mund të përfundojë “shumë shpejt” dhe se SHBA do të dalë fituese.
Ai tha gjithashtu se disa prej negociatorëve me Iranin janë “shumë të arsyeshëm”, ndërsa të tjerë jo, duke shprehur shpresën se Teherani “do të veprojë me zgjuarsi”.
Në të njëjtën intervistë, Trump kritikoi edhe NATO-n, duke thënë se aleanca “nuk ka qenë në anën e SHBA-së” për çështjen e Iranit. Ai iu referua edhe Mbretërisë së Bashkuar, duke pretenduar se Londra ka vonuar angazhimet e saj ushtarake.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara synojnë të përfshijnë në negociata edhe çështjen e rezervave të uraniumit të Iranit.


