Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë publikoi më 30 janar, vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, që flet për “një përjashtim për programet e ndihmës humanitare që shpëtojnë jetë”, nga urdhri i Presidentit Trump për të ngrirë fondet e ndihmës së huaj në gjithë botën për 3 muaj.
Sipas ambasadës, SHBA-të kontribuojnë afërsisht 40% të ndihmës humanitare globale, por shton se “amerikanët meritojnë transparencë dhe llogaridhënie”.
“Shtetet e Bashkuara kontribuojnë me afërsisht 40% të ndihmës humanitare globale. Amerikanët meritojnë transparencë dhe llogaridhënie. Teksa ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën e huaj të ShBA, Sekretari Rubio lëshoi një përjashtim për programet e ndihmës humanitare që shpëtojnë jetë”, shkruan ambasada.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka njoftuar më 29 janar Qeverinë shqiptare duke i kërkuar asaj të njoftojë të gjitha institucionet e prekura nga pezullimi i fondeve të mbështetjes pas firmosjes së urdhrit ekzekutiv nga presidenti Donald Trump.
Letra informon mbi synimin e Urdhrit Ekzekutiv të Qeverisë së SHBA-së për të pezulluar zbatimin, detyrimet e reja dhe disbursimet e fondeve deri në përfundimin e një rishikimi të të gjitha programeve të ndihmës së huaj.
Nga institucionet që preken nga pezullimi i fondeve është edhe SPAK dhe GJKKO.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka sqaruar urdhrin e Presidentit Donald Trump për pezullimin 3 muaj të fondeve për vendet e huaja, përfshi dhe Shqipërinë.
DASH thekson se janë ndaluar 1 miliard dollarë shpenzime që nuk përputhen me agjendën e Presidentit Trump “America First”.
Zyra e Shtypit e DASH sqaron janë hequr fondet për programet që nuk e bëjnë Amerikën më të fortë, më të sigurt apo më të pasur, duke shtuar se klasifikimi është bërë në bazë të disa kritereve, si: Emri i Zyrës/Departamentit/Misionit; Emri i Programit; Përshkrimi i Programit; Vendndodhja e Programit; Rezultati i Parashikuar i Programit; Justifikimi për Përjashtimin; Informacioni financiar dhe i alokimeve.
“Pauza dhe rishikimi 90-ditor i shpallur më parë për ndihmën e huaj të SHBA-së tashmë po jep rezultate për vendin dhe popullin tonë. Po eliminojmë shpenzimet e panevojshme. Po bllokojmë programet “woke”. Dhe po zbulojmë aktivitete që janë kundër interesave tona kombëtare”, sqaron Departamenti i Shtetit.
Sakaq, të mërkurën Shtëpia e Bardhë tha se ka anuluar një memorandum që autorizonte ngrirjen (90 ditore) federale të qindra miliarda dollarëve në grante dhe ndihma, gjë që kishte shkaktuar panik të gjerë mes miliona njerëzve që mbështeten në ndihmën e qeverisë amerikane, raporton BBC.
Letra e re e lëshuar të mërkurën thotë “Memorandumi i OMB M-25-13 është anuluar”.
Por në një deklaratë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt tha se administrata ishte ende duke ndjekur vendimin e ngrirjes.
“Ky NUK është një anulim i ngrirjes së financimit federal. Është thjesht një anulim i memorandumit të OMB,” tha ajo.
“Pse? Për t’i dhënë fund çdo konfuzioni të krijuar nga urdhri i gjykatës. OE-të e Presidentit për financimin federal mbeten në fuqi dhe efekt të plotë dhe do të zbatohen me rigorozitet.”/Radar.al


