Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Berlinin jugperëndimor, ku dy të rinj, të moshës 17 dhe 18 vjeç, humbën jetën ndërsa ishin ngjitur në çatinë e një treni të linjës S-Bahn S1. Gjatë këtij akti të rrezikshëm të njohur si “surf i trenit”, ata u përplasën me një urë të ulët që ndodhej vetëm 30 centimetra mbi nivelin e trenit që lëvizte me shpejtësi rreth 60 km/h.
Njëri prej të rinjve ndërroi jetë në vend, ndërsa tjetri nuk i mbijetoi plagëve dhe vdiq në spital. Autoritetet gjermane konfirmuan se ata nuk arritën të shmangnin përplasjen, pasi e kishin vlerësuar gabim distancën dhe nuk patën kohë për të reaguar.
Zëdhënësi i Deutsche Bahn shprehu tronditjen për ngjarjen, duke e quajtur praktikën një rrezik ekstrem dhe të ndaluar rreptësisht. Kompania ka investuar ndër vite në programe sensibilizuese në shkolla dhe rrjete sociale për të ndaluar raste të tilla, por fenomeni mbetet shqetësues.
Ngjarja është e ngjashme me incidente të mëparshme në të njëjtën linjë S1, ku më herët janë regjistruar plagosje të rënda për shkak të përplasjes me ura ose hedhjeve nga trenat.
“Sërfimi i trenit” është një praktikë jashtëzakonisht e rrezikshme që ka marrë jetë njerëzish në mbarë botën – nga Afrika e Jugut e deri në Rusi – dhe zakonisht kryhet për adrenalinë, sfidë në rrjetet sociale apo për të shmangur pagesën e biletës.


