Një ngjarje e rëndë ka tronditur Poloninë jugore të premten në mëngjes, kur një burrë 57-vjeçar ka qëlluar për vdekje vajzën e tij 26-vjeçare dhe dhëndrin 31-vjeçar në fshatin Stara Wisz, në rrethin Limanowa.
Nga të shtënat ka mbetur e plagosur rëndë edhe një grua tjetër që ndodhej në banesë, ndërsa një foshnjë njëvjeçare që ishte në shtëpi fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.
Autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe sipas autoriteteve, besohet se është strehuar në një pyll pranë zonës. Policia polake e konsideron të armatosur dhe të rrezikshëm, duke u kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin çdo kontakt me të.
Sipas burimeve të Polsat News, bëhet fjalë për një tragjedi familjare me motiv të paqartë deri më tani. Forcat speciale po vijojnë kërkimet në zonën pyjore për kapjen e autorit.


