Dy anije tregtare me flamur të huaj janë sulmuar nga dronë rusë në rajonin jugor të Odesës, duke shkaktuar një viktimë dhe disa të plagosur. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri i Ukrainës, Oleksiy Kuleba.
Sipas tij, një shtetas sirian humbi jetën si pasojë e sulmit, ndërsa persona të tjerë u plagosën gjatë goditjes ndaj mjeteve lundruese. Njëra nga anijet po lundronte drejt portit të Chornomorsk dhe mbante flamurin e Shën Kitsit dhe Nevisit, ndërsa anija tjetër ndodhej pranë portit të Odesës dhe ishte e regjistruar nën flamurin e Ishujve Komore.
Burime të Reuters bëjnë me dije se sulmet kanë ndodhur në ujërat e Detit të Zi, duke rritur më tej tensionet dhe rrezikun për lundrimin tregtar në këtë zonë strategjike.


