TIRANË– Salmonela mund të ndihmojë në luftimin e kancerit të zorrëve, një lajm ky që vjen nga hulumtimi i cili zbuloi se bakteret ndalojnë qelizat imune të trupit të sulmojnë sëmundjen.
Ekspertët e kanë ditur prej kohësh se salmonela e cila mund të shkaktojë helmim nga ushqimi, mund të ndihmojë në mposhtjen e kancerit.
Megjithatë tashmë një studim i ri ka zbuluar se salmonela mund të projektohet për të lejuar qelizat T, një lloj i qelizave të bardha të gjakut që mbron trupin nga infeksionet dhe sëmundjet , që të vrasë qelizat e kancerit. Ekipi i studiuesve zbuloi se salmonela në mënyrë tipike i ndalon qelizat T të luftojnë qelizat e kancerit, pasi ajo varfëron një aminoacid të quajtur asparaginë. Dr Alastair Copland, studiues në Universitetin e Birminghamit tha se kërkimi mund të shndërrojë një salmonelën në një bakter që lufton kancerin.
“Një mister i kahershëm ka qenë pse qelizat T, të cilat janë kyçe për të luftuar kancerin, nuk funksionojnë në mënyrë optimale gjatë këtij trajtimi. Tani, ne kemi identifikuar proteinën përgjegjëse për këtë dhe kemi identifikuar një objektiv gjenetik emocionues që mund të na ndihmojë për këtë lloj terapie”.- thonë studiuesit.
Dr Catherine Elliott, drejtoreshë e kërkimit në Cancer Research UK, shprehet se hulumtimi mund të çojë në trajtime më efektive për pacientët me kancer kolorektal dhe kancere të tjera në të ardhmen, duke ofruar shpresë për pacientët. Ka më shumë se 44,000 raste të reja të kancerit të zorrëve çdo vit, duke e bërë atë të katërtin më të zakonshëm.
Salmonela
Salmonela mund të jetë e pranishme në zorrët e shumë kafshëve, duke përfshirë pulat, lopët dhe derrat. Mund të kontaminojë ushqime si vezët, pulën dhe mishin e derrit, si dhe frutat dhe perimet që kanë qenë në kontakt me bagëtinë ose pleh organik. Nëse infektohemi, simptomat e salmonelës përfshijnë diarre, ngërçe në stomak, nauze, të vjella dhe ethe, dhe zakonisht zhvillohen brenda 12 deri në 72 orë dhe zgjasin nga katër deri në shtatë ditë. Ky studim është publikuar në revistën EMBO Molecular Medicine./skynews/Radar.al


