Stiven Shpendi ka folur në Itali për situatën aktuale tek Empoli dhe jo vetëm. 22-vjeçari po bën mjaft mirë në Serinë B, pavarësisht vështirësive të ekipit. Në gjashte paraqitje ka shënuar tre gola.
Shpendi ka zbuluar si ëndërr të tij, që të luajë me vëllain binjak Kristianin, te Kombëtarja e Shqipërisë. Empoli ndërkohë ka si objektiv mbijetesën në Serinë B. Vetëm dje u vendos për shkarkimin e trajnerit Guido Paljuka, ndërsa vendin e tij pritet ta marrë Alesio Dionisi.
“Ndeshja e fundit me Sudtirol ishte një fitore shumë e rëndësishme, që na jep shumë moral dhe disa pikë që krijojnë entuziazëm dhe pozitivitet. Ne jemi një grup i ri është e vërtetë, por ky rezultat duhet të na japë besim për ndeshjet e ardhshme”, u shpreh fillimisht Stiven Shpendi për “Corriere Fiorentino”.
Synimi- Qëllimi kryesor është të qëndrojmë në Serinë B dhe të përpiqemi të fitojmë sa më shumë ndeshje të jetë e mundur. Pastaj, në fund, do të shohim ku do të kemi arritur.
Ndryshimi nga përvoja e fundit tek Empoli- “Sigurisht shumë ndryshim. Dy vjet më parë vija nga vetëm një sezon në Serie C ku kisha bërë mirë, por në krahasim me të tjerët isha prapa fizikisht dhe mendërisht. Tani ndjej se jam një lojtar tjetër, kam përparuar në të dyja këto aspekte, edhe falë përvojës në B të vitit të kaluar. Ndjej se jam përmirësuar.
3 gola deri tani, sezonin e kaluar 4 në total- Vitin e kaluar ishte një sezon i vështirë për shkak të dëmtimeve. Këtë vit, përkundrazi, e kam nisur mirë dhe sigurisht dua të kaloj numrin e golave që shënova në kampionatin e kaluar. Qëllimi është të arrij shifrat dyshifrore.
Në çfarë mund të përmirësoheni? Sigurisht duhet të përmirësohem në shumë aspekte, si mbajtja e topit, loja me shpinë nga porta dhe goditjet me kokë.
Debutimi në Serinë C me Shpendin tjetër në vitin 2021 te Çezena- Kam vetëm kujtime shumë të bukura nga ato vite, sepse të luash dhe të stërvitesh me vëllain është diçka që pak veta arrijnë ta bëjnë. Një ditë do të ishte bukur të luanim sërish bashkë, për më tepër që ne kuptohemi mirë, sepse jemi lojtarë të përputhshëm.
A ndjen njësoj si vëllai binjak- Ekziston kjo lidhje e veçantë. Nëse shoh që ai vuan ose ndihet keq për një ndeshje apo për gjëra jashtë fushës, vuaj edhe unë.
Origjina juaj, si erdhën prindërit në Itali? Babai im është nga Puka, nëna ime nga Tirana. Kam vizituar vendin e babait tim, në veri të Shqipërisë dhe vitet e fundit Tiranën. Ata nuk vinin nga një situatë e lehtë dhe kanë ardhur në Itali pa asgjë. Vetëm me shpresën për të krijuar një të ardhme më të mirë për ne. Mua dhe vëllait tim, prindërit na kanë mësuar të mos dorëzohemi kurrë, të japim më të mirën në çdo gjë që bëjmë.
Keni shtetësi të dyfishtë, por keni veshur fanellën e ekipeve kombëtare të të rinjve të Shqipërisë. Zgjedhje apo mundësi? Jam shqiptar, për mua është një arsye e madhe krenarie të vesh fanellën e Shqipërisë. Është për mua dhe për gjithë familjen tonë.
Ëndrra në sirtar? Të luaj me vëllain tim në Kombëtaren e Shqipërisë./PanoramaSport


