Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një momenti tensionesh të regjistruar gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë kundër investimit të planifikuar në Zvërnec.
Sipas pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale, gjatë protestës është raportuar një incident ku një flamur i komunitetit LGBT është hequr nga disa pjesëmarrës, çka ka sjellë reagime dhe debat publik.
Duke e komentuar ngjarjen, Kryeministri Rama e ka dënuar ashpër episodin, duke theksuar se sjellje të tilla nuk përfaqësojnë shoqërinë shqiptare dhe vlerat europiane që vendi synon të mbrojë.
“Kjo nuk është Shqipëria në të cilën besojmë dhe sigurisht jo Shqipëria që po ndërtojmë si anëtare krenare e familjes evropiane. Solidaritet të plotë me djalin e ngacmuar”, ka deklaruar Rama në reagimin e tij.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se asnjë individ nuk duhet të poshtërohet, përjashtohet apo shënjestrohet për shkak të identitetit apo dallimeve të tij.
“Askush nuk duhet të shënjestrohet për shkak se është ndryshe. Turp për ngacmuesit”, u shpreh ai.


