SPAK ka përfunduar hetimet dhe, më 7 nëntor 2025, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme çështjen penale nr. 55/2025, që lidhet me korrupsionin zgjedhor në Qarkun e Lezhës gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Të pandehurit e çuar për gjykim janë:
Gersi Kaçorri, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim (nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal);
Besnik Uka, i akuzuar për korrupsion pasiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim (nenet 328/b dhe 25);
Artur Jahja, i akuzuar për korrupsion pasiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim (nenet 328/b dhe 25).
Rrethanat e çështjes
Procedimi penal nisi pas materialeve të referuara nga BKH, që dyshonte për përfshirjen e tre personave në veprimtari korruptive gjatë fushatës zgjedhore. Gjatë hetimit proaktiv, përmes përgjimeve telefonike, vëzhgimeve dhe metodave të tjera speciale, u dokumentua se Kaçorri, Uka dhe Jahja kanë ofruar, premtuar dhe shpërndarë para zgjedhësve në Bashkinë Kurbin, me qëllim orientimin e votës në favor të Partisë Socialiste.
Hetimet treguan se të pandehurit kanë qenë aktivë në terren gjatë fushatës, duke përdorur mjete monetare për të ndikuar zgjedhësit dhe rezultatin e votimit në Qarkun e Lezhës.


