Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim 11 persona të akuzuar si pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike drejt Finlandës.
Sipas SPAK, procedimi penal është zhvilluar në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore, të krijuar më 21 nëntor 2023 mes Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve ligjzbatuese të Finlandës. Hetimet janë mbështetur në përgjime telefonike, regjistrime të fshehta dhe shkëmbim informacioni e provash në kohë reale me autoritetet finlandeze.
Në bankën e të akuzuarve janë dërguar Besnik Spata, Ermelind Pupa (alias Ermelind Myzyri), Erind Agalliu (alias Erind Teneqexhiu), Geraldo Seferaj, Dorjan Luzaj, Kevin Qevani (alias Bojken Qevani), Toni Kota (alias Elton Tavani, Thoma Tavani, Toni Tavani), Eltion Myftari (alias Eltjon Miftari), Ledjon Hoxha, Altin Musta dhe Nikollaq Godo (Pavjol Gode).
Të pandehurit akuzohen, sipas roleve të tyre, për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale”. Ndërsa Nikollaq Godo akuzohet për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.
Sipas hetimeve, nga viti 2022 e në vijim disa grupe të strukturuara kriminale të krijuara dhe të drejtuara nga shtetas shqiptarë kanë trafikuar drejt Finlandës sasi të mëdha amfetamine, kokaine, kanabisi dhe ekstazi, të cilat më pas janë shpërndarë në qytete të ndryshme të vendit përmes një rrjeti të organizuar shitësish.
SPAK thotë se nga provat e administruara janë dokumentuar dhjetëra episode të trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Helsinki, Espoo, Vantaa, Turku, Porvoo dhe qytete të tjera finlandeze. Sipas organit të akuzës, grupet kanë trafikuar qindra kilogramë amfetaminë, kanabis dhe kokainë, si dhe mijëra tableta ekstazi. Një nga episodet më të rëndësishme lidhet me trafikimin e mbi 200 kilogramëve kanabis nga Spanja drejt Finlandës përmes shërbimit postar gjatë vitit 2024.
Prokuroria thekson se karakteristikë e këtyre grupeve ishte bashkëpunimi mes tyre dhe lidhjet me organizata të tjera kriminale, ndërsa një pjesë e anëtarëve janë arrestuar dhe dënuar më herët nga gjykatat finlandeze.
Në hetime kanë kontribuar edhe Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe rrjeti “@ON”, i financuar nga Komisioni Evropian dhe i koordinuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA).
SPAK bën të ditur se, pavarësisht dërgimit të çështjes në gjykim, hetimet për procedimin penal nr. 147/2023 vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


