Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të hënë, vetëm me votat e shumicës socialiste, projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një hua prej 302 milionë dollarësh, e cila do të përdoret për forcimin e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes.
Projektligji u miratua me 74 vota pro të deputetëve të Partisë Socialiste, ndërsa në seancë nuk ishte i pranishëm asnjë deputet i Partisë Demokratike apo i aleatëve të saj.
Përpara votimit, projektligji u diskutua në seancë pa praninë e mediave.
Mungesa e opozitës bëri që marrëveshja të kalonte vetëm me votat e mazhorancës socialiste.
Pas përfundimit të procesit të votimit, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, njoftoi mbylljen e punimeve të Kuvendit.


