SPAK ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme dosjen penale ndaj pesë personave të akuzuar për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Rrogozhinë.
Sipas hetimeve, katër prej tyre – Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi – akuzohen për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, ndërsa Shkëlqim Hoxha, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, akuzohet për moskallëzim të krimit, ndonëse ishte në dijeni të skemës së blerjes së votave.
Të pandehurit dyshohet se shpërndanë bileta udhëtimi për të paktën 64 persona, me qëllim që ata të ktheheshin në Shqipëri për të votuar në favor të Hoxhës.
Dosja është ngritur pas referimeve nga Policia e Durrësit dhe është bashkuar me një tjetër çështje, për shkak të lidhjes së fakteve dhe personave të përfshirë.


