Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dosjen penale nr. 60/1 të vitit 2025, ndaj të pandehurve Pandeli Bozha dhe Vladimir Lushkaj.
Pandeli Bozha akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, ndërsa Vladimir Lushkaj për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, në bazë të neneve 328 dhe 328/b të Kodit Penal.
SPAK bën me dije se hetimet janë zhvilluar përmes metodave proaktive dhe kanë dokumentuar një episod konkret të datës 8 maj 2025. Rreth orës 10:00 të mëngjesit, Pandeli Bozha ka shkuar në banesën e Vladimir Lushkajt, ku i ka futur në xhep një kartëmonedhë dhe i ka treguar një fletë të ngjashme me atë të votimit, duke i sugjeruar për cilin kandidat të votonte.
Më pas, Lushkaj ka dorëzuar tek oficerët e policisë gjyqësore si provë kartëmonedhën e marrë dhe fletën e rreme të votimit, ku emri i kandidatit ishte theksuar me ngjyrë portokalli.
Të gjitha materialet janë sekuestruar dhe do të përdoren si prova në gjykim. SPAK konfirmon se veprimet e të dy të pandehurve përmbushin elementët e veprave penale përkatëse dhe do të ndiqen penalisht për korrupsion në procesin zgjedhor.


