Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka deklaruar se institucioni që ai drejton po hyn në një fazë të re modernizimi dhe transformimi, me synim rritjen e profesionalizmit, transparencës dhe besueshmërisë ndaj qytetarëve dhe vizitorëve të huaj.
Gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e Diasporës, në panelin për “Migracionin dhe politikat e riatdhesimit”, Hita theksoi se Policia e Shtetit po funksionon gjithnjë e më shumë si një shërbim në funksion të ligjit dhe qytetarëve, përfshirë diasporën dhe turistët që vizitojnë Shqipërinë.
Ai u shpreh se investimet në teknologji, forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë shtyllat kryesore të këtij transformimi, duke theksuar se policia është një nga kontaktet e para të imazhit të vendit për çdo vizitor.
Sipas tij, janë përmirësuar kushtet në pikat e kalimit kufitar, është rritur përdorimi i teknologjisë bashkëkohore dhe është shtuar trajnimi i punonjësve të policisë, me qëllim ofrimin e një shërbimi më efikas dhe më të besueshëm.
Hita tha gjithashtu se është forcuar policimi në komunitet, me fokus te kategoritë më në nevojë, ndërsa sezoni turistik ka sjellë rritje të prezencës policore në zonat bregdetare dhe turistike për të garantuar rend dhe siguri.

Ai nënvizoi se Shqipëria po përjeton flukse të larta turistike, gjë që kërkon menaxhim profesional dhe koordinim institucional, veçanërisht në kufij, akse rrugore dhe destinacione turistike.
Në fjalën e tij, drejtori i Policisë së Shtetit theksoi edhe angazhimin në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe kontrabandës së emigrantëve, duke përmendur bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe goditjen e rrjeteve kriminale.
Një vëmendje e veçantë, sipas tij, i është kushtuar bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, ku janë shënuar rezultate në uljen e tentativave për emigracion të paligjshëm.
Duke përmbyllur fjalën, Hita theksoi se siguria mbetet prioritet absolut i Policisë së Shtetit, duke deklaruar se nuk është regjistruar asnjë ngjarje e rëndë kriminale ndaj turistëve dhe se janë evidentuar qindra raste ndihme për vizitorët në nevojë.

“Siguria është pasaporta e Policisë së Shtetit për miliona turistë dhe vizitorë,” u shpreh ai, duke shtuar se përfshirja e qytetarëve në ndihmën ndaj turistëve është një vlerë e shtuar e shoqërisë shqiptare.
Në përfundim, Hita garantoi vijimin e angazhimit të Policisë së Shtetit për një Shqipëri më të sigurt, më profesionale dhe më mikpritëse.


