Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Balldren–Torovicë, në qarkun e Lezhës, ku një motomjet ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me një mur rrethues anës rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i ciklomotorit ka humbur kontrollin mbi mjetin për arsye ende të paqarta, duke shkaktuar përplasjen e fortë.
Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të plagosur drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja që udhëtonte me të. Të dy janë transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.


