Një seri sulmesh kibernetike të koordinuara ka goditur institucione ushtarake, diplomatike dhe struktura shtetërore në disa vende të Evropës dhe Ballkanit, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dixhitale në rajon.
Sipas studiuesve të sigurisë kibernetike, në Greqi janë komprometuar të dhëna sensitive që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe informacioni për adresa të atasheve ushtarakë grekë në Indi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Sulme të ngjashme janë raportuar edhe në Bullgari, ku objekt i ndërhyrjeve kanë qenë zyrtarë lokalë dhe struktura administrative, ndërsa në Serbi dyshohet se janë ekspozuar të dhëna që lidhen me akademikë dhe oficerë të forcave të armatosura.
Ekspertët vlerësojnë se këto incidente nuk janë të izoluara, por pjesë e një fushate më të gjerë spiunazhi kibernetik, që synon mbledhjen e informacionit strategjik dhe ndjeshëm nga vende të ndryshme të rajonit.
Në analizat e tyre, studiuesit theksojnë se këto sulme tregojnë qartë se as afërsia politike apo gjeopolitike me Moskën nuk përbën garanci mbrojtjeje ndaj operacioneve kibernetike, duke nënvizuar natyrën globale dhe të pakontrollueshme të kërcënimeve në hapësirën dixhitale.
Autoritetet në vendet e prekura po vijojnë hetimet për të identifikuar burimin e sulmeve dhe për të vlerësuar dëmin e plotë të shkaktuar në sistemet e komprometuara.


