Shqipëria vazhdon serinë pozitive me një tjetër fitore bindëse! Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 4-2 ndaj Jordanisë, në miqësoren e zhvilluar në “Arenën Kombëtare”, duke dhuruar spektakël dhe gola të bukur përpara tifozëve shqiptarë.
Pavarësisht se kaluan të parët në disavantazh në minutën e 27-të, pas golit të Al-Rashdan, ekipi i Sylvinhos reagoi menjëherë. Bajrami u bë protagonist në golin e barazimit (40’), kur pas një depërtimi të bukur në zonë, detyroi mbrojtësin Abualnadi të realizonte autogol.
Në pjesën e dytë, Broja u rikthye me gol, duke përmbysur rezultatin në minutën e 65-të, ndërsa Arbër Hoxha me një predhë nga distanca (75’) i dha Shqipërisë avantazhin e qetësisë.
Festa u plotësua në minutën e 79’, kur Broja asistoi për Bajramin, i cili vulosi rezultatin 4-1. Jordania arriti të shënojë në fund (Olwan 90’), por vetëm për statistikë.
Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për kuqezinjtë – dy në miqësore dhe dy në ndeshje zyrtare – që po e rrisin formën dhe moralin përpara përballjes vendimtare të 13 nëntorit në transfertë ndaj Andorrës, ku do të vendosen shanset për “Play Off”-in e Botërorit 2026.
Rezultati përfundimtar: Shqipëri 4–2 Jordani
Golashënuesit: Abualnadi (A.G) 40’, Broja 65’, Hoxha 75’, Bajrami 79’ / Al-Rashdan 27’, Olwan 90’












