Një verifikim i publikuar nga “Euronews” ka nxjerrë në pah qarkullimin e një sërë fotosh, videosh dhe pretendimesh të rreme në rrjetet sociale, të lidhura me Shqipërinë dhe projektet turistike të parashikuara në Sazan dhe Zvërnec.
Lidhur me këtë çështje, Agjencia për Media dhe Informim publikoi disa nga faktet e verifikuara, duke theksuar se shumë prej materialeve që janë shpërndarë gjerësisht online janë të manipuluara ose të nxjerra jashtë kontekstit.
Sipas verifikimit të “Euronews”, një video e shpërndarë si pamje e banesës së kryeministrit Edi Rama në flakë nuk paraqet shtëpinë e tij, por ish-vilën e diktatorit Enver Hoxha.
Po ashtu, një fotografi që pretendohej se tregonte “kufirin e ri” në Zvërnec, të shoqëruar me flamuj shqiptarë dhe izraelitë, rezultoi të ishte e manipuluar në mënyrë digjitale.
Ndërkohë, një video e publikuar me pretendimin se shfaqte dëbimin e izraelitëve nga Shqipëria, sipas verifikimit, i përket një proteste tjetër dhe nuk ka lidhje me ngjarjen e pretenduar.
“Euronews” ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet se projekti turistik lidhet me një plan për zhvendosjen e palestinezëve në Shqipëri, duke i cilësuar këto pretendime si të pabazuara në fakte.
Verifikimi i medias ndërkombëtare vjen në një kohë kur në rrjetet sociale po qarkullojnë me shpejtësi informacione të paverifikuara, duke nxitur dezinformimin dhe keqinterpretimin e projekteve të zhvillimit në vend.


