Investimet e huaja direkte në Shqipëri vijuan trendin pozitiv edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke arritur vlerën e 404 milionë eurove. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë në raportin e bilancit të pagesave, kjo përfaqëson një rritje prej 11,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sektori i pasurive të paluajtshme mbetet destinacioni kryesor i kapitalit të huaj, duke përthithur 43% të totalit të investimeve, ose rreth 174 milionë euro. Pas tij renditen sektori i ndërmjetësimit financiar me 17%, energjetika me 9%, komunikacioni me 5% dhe industria nxjerrëse e hidrokarbureve me 4%.
Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e investimeve, rreth 206 milionë euro ose 51% e totalit, kanë ardhur nga fitimet e riinvestuara të kompanive me kapital të huaj që operojnë në vend. Megjithatë, kjo kategori ka shënuar një rënie të lehtë prej 3,7% në krahasim me një vit më parë.
Nga ana tjetër, kapitalet e reja të investuara kanë regjistruar një rritje të ndjeshme. Gjatë tremujorit të parë, ato arritën në 183 milionë euro, ose 25,3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke reflektuar interes në rritje për projekte të reja investimi në ekonominë shqiptare.
Ndërkohë, investimet në instrumente borxhi vijojnë të kenë një peshë më të kufizuar në strukturën e investimeve të huaja direkte, me një vlerë prej rreth 14 milionë eurosh në fund të periudhës.


