Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që parashikon krijimin e një rezerve të posaçme armatimesh dhe pajisjesh teknologjike për nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Vendimi, i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, synon të garantojë gatishmërinë operacionale të ushtrisë në rast lufte, si edhe në situata kur ekziston një rrezik i afërt dhe konkret për agresion ushtarak ndaj vendit ose aleatëve të tij strategjikë.
Sipas aktit të miratuar, detyrimi për krijimin dhe ruajtjen e kësaj rezerve do të bjerë mbi të gjitha subjektet e licencuara që veprojnë në fushën e prodhimit dhe tregtimit të armatimeve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Vendimi përcakton se subjekt i licencuar konsiderohet çdo person juridik, publik apo privat, që zotëron licencën për ushtrimin e veprimtarive në këtë sektor.
Po ashtu, rezerva e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike përkufizohet si sasia e mjeteve dhe pajisjeve që këto subjekte duhet të mbajnë në dispozicion për përdorim nga Forcat e Armatosura, sipas kërkesave të përcaktuara në akt.
Dokumenti përcakton edhe procedurat për aktivizimin e rezervës, i cili do të bëhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes në rastet e parashikuara nga vendimi.
Në të njëjtën kohë, akti specifikon elementët kryesorë të rezervës, duke përfshirë llojet dhe sasitë e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike që subjektet e licencuara duhet të kenë të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të mbrojtjes kombëtare.


