Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë publik një operacion sekret ushtarak të zhvilluar muajin e kaluar për mbrojtjen e cisternave të naftës dhe anijeve tregtare që lundronin nëpër Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më strategjike të transportit energjetik në botë.
Përmes një deklarate publike, Trump tha se kishte urdhëruar forcat amerikane të ndërmerrnin një mision të posaçëm për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve në këtë korridor detar, i cili lidh Gjirin Persik me tregjet ndërkombëtare.
Sipas tij, operacioni përfundoi me sukses, duke mundësuar transportimin e më shumë se 100 milionë fuçive naftë drejt tregjeve globale pa incidente.
“Muajin e kaluar, udhëzova forcat kryesore ushtarake amerikane të kryenin një mision sekret për të mbështetur cisternat e naftës dhe anijet e tjera tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit. Sot mund të njoftoj se më shumë se 100 milionë fuçi naftë kaluan me sukses dhe arritën në tregun ndërkombëtar”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan e lidhi suksesin e operacionit me praninë ushtarake të SHBA-së në rajon, duke theksuar se siguria e lundrimit në ngushticë u garantua nga forcat amerikane.
Në të njëjtën deklaratë, Trump lëshoi akuza të forta ndaj Iranit, duke pretenduar se kapacitetet ushtarake të vendit janë dobësuar ndjeshëm dhe se ekonomia iraniane po përballet me vështirësi të mëdha.
“Ushtria e tyre është mundur dhe ekonomia e tyre është shkatërruar. Për Iranin, gjithçka ka mbaruar”, u shpreh ai.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në rajonin e Gjirit Persik, ku Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë dhe sigurinë detare ndërkombëtare.


