Drejtori i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Rrogozhinë, Bilal Hasa, është shpallur në kërkim dhe njëkohësisht është pezulluar nga detyra, pas një operacioni policor kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Policia e Shtetit bëri të ditur se operacioni i koduar “Kurtaj” çoi në zbulimin e dy ambienteve të përshtatura për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura, ku u sekuestruan rreth 4000 bimë, si dhe pajisje ndihmëse si llamba, neonë dhe instalime elektrike.
Nga hetimet paraprake rezulton se një prej ambienteve është në pronësi të shtetasit B. H., i identifikuar si Bilal Hasa, për të cilin është shpallur kërkimi. Gjithashtu, për veprën penale “shpërdorim detyre” është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE për zonën e Peqinit.
Operacioni, i zhvilluar nën drejtimin e Prokuroria e Elbasanit, vijon ende, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar duke njoftuar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Hasës, deri në përfundimin e hetimeve. Institucioni thekson se distancohet nga çdo veprim i paligjshëm dhe mbështet një hetim të plotë dhe transparent të çështjes.
Sipas raportimeve në media, në një banesë në zonën e Peqinit është zbuluar sasia e konsiderueshme e bimëve narkotike, e cila dyshohet se lidhet me pronësinë e drejtorit të pezulluar.


