Një bazë e dyshuar për furnizimin e grupeve kriminale me armë zjarri dhe municion luftarak është zbuluar në Manzë të Durrësit, gjatë operacionit policor të koduar “Baza”.
Në kuadër të operacionit është arrestuar në flagrancë një 20-vjeçar, në banesën e të cilit policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, mes tyre katër pistoleta, një kallashnikov, një armë gjahu, gjashtë krehëra dhe qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm. Gjithashtu u sekuestruan një targë automjeti italiane dhe një aparat celular.
Sipas Policisë, operacioni u zhvillua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Durrës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E.P., 20 vjeç, banues në Manzë, u zbulua baza ku dyshohet se ruheshin armët që shërbenin për furnizimin e grupeve kriminale.
Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprat penale të armëmbajtjes pa leje dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë.


