Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet e organizuara në nder të gazetarit Enrik Mehmeti, të zhvilluara në ambientet e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë.
Pas përfundimit të homazheve, kreu i qeverisë u shprehu ngushëllimet gazetarëve dhe familjarëve për ndarjen nga jeta të kolegut të tyre.
Gazetari Enrik Mehmeti humbi jetën pasditen e së shtunës, në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një aksidenti me motor në zonën e Porto Novës, në Zvërnec.
Për shumë vite, Mehmeti ishte një nga gazetarët më të njohur në qarkun e Vlorës, duke raportuar për News24 mbi ngjarjet më të rëndësishme të jugut të vendit. Ai mbuloi kronikën e zezë, operacionet policore, si edhe zhvillimet sociale, politike dhe turistike në rajon.
Kolegët e kujtojnë si një gazetar të përkushtuar dhe profesionist, të pranishëm vazhdimisht në terren, i cili synonte të sillte informacion të saktë dhe të verifikuar edhe në rrethana të vështira.
Gjatë ditës së sotme, familjarë, miq, kolegë dhe përfaqësues të institucioneve i japin lamtumirën e fundit gazetarit Enrik Mehmeti.


