Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti, me të cilin kishte bashkëpunuar edhe në cilësinë e këshilltarit.
Në fjalën e mbajtur gjatë homazheve, Shehu e cilësoi largimin e Mehmetit si një humbje të rëndë për Vlorën dhe për të gjithë ata që e njohën nga afër.
“Humbëm të gjithë një njeri që kishte si vlerë themelore përkushtimin ndaj të tjerëve, atë përkushtim që secili prej nesh duhet të ketë për të qenë pranë njëri-tjetrit dhe për të qëndruar të bashkuar. Gjatë këtyre viteve, Enriku u përpoq të përcillte një mesazh të rëndësishëm: të mbështesim njëri-tjetrin, sepse jeta është shumë e shkurtër. Duhet të jemi vlerë për veten dhe për vendin tonë”, u shpreh Shehu.
Në fund të mesazhit të tij, kreu i KLSH-së i përcolli ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të gazetarit Enrik Mehmeti, duke nderuar kujtimin e tij dhe kontributin që la në gazetari.


