Policia e Vlorës ka zbuluar një rast prostitucioni që ushtrohej në një apartament në lagjen “Pavarësia”, duke vënë në pranga dy shtetas kinezë dhe duke shpallur në kërkim një të tretë.
Si rezultat i hetimeve, autoritetet identifikuan tre persona të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Shtetasja X. L., 40 vjeçe, dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, të dy banues në Kinë, u arrestuan, ndërsa bashkëpunëtorja e tyre, shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim.
Sipas policisë, tre shtetasit vepronin në bashkëpunim dhe dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion një shtetase kineze 52-vjeçare, në një apartament të marrë me qira enkas për këtë aktivitet.
Gjatë kontrollit në banesë u konstatua edhe shtetasi E. B., ndërsa ai dhe shtetasja kineze u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”.
Policia po vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.


