Një incident i rëndë detar është raportuar në Ngushticën e Hormuzit, ku një anije cisternë ka deklaruar se është qëlluar nga dy mjete luftarake të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Sipas Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), ngjarja ka ndodhur rreth 20 milje detare në verilindje të Omanit.
Autoritetet britanike bëjnë me dije se anija cisternë dhe ekuipazhi i saj janë të sigurt, pavarësisht incidentit të armatosur.
Ndërkohë, Reuters raporton se të paktën dy anije tregtare të tjera kanë deklaruar se janë goditur teksa përpiqeshin të kalonin ngushticën strategjike.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme të transportit global të naftës, ndërsa incidentet e fundit rrisin frikën për përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.


