Zhdukja misterioze ose vdekja e dhjetë shkencëtarëve në Shtetet e Bashkuara është rasti më i fundit me të cilin ka vendosur të merret Shtëpia e Bardhë. Administrata amerikane ka premtuar se “nuk do të lërë asgjë pa provuar” në përpjekje për të zbuluar të vërtetën.
“Epo, shpresoj që të jetë rastësi, por do ta dimë brenda javës së ardhshme”, tha Trump duke iu përgjigjur një pyetjeje të Fox News. “Sapo kam përfunduar një takim për këtë çështje, kështu që është diçka mjaft serioze. Shpresojmë të jetë një rastësi… por disa nga këta njerëz ishin shumë të rëndësishëm dhe do ta shqyrtojmë”.
Zëdhënësja Karoline Leavitt njoftoi në X se presidenti Donald Trump i ka kërkuar FBI-së të hetojë. “Në kuadër të pyetjeve të fundit dhe legjitime për këto raste shqetësuese, dhe përkushtimit të presidentit Trump ndaj së vërtetës, Shtëpia e Bardhë po bashkëpunon në mënyrë aktive me të gjitha agjencitë përkatëse dhe me FBI-në për të shqyrtuar të gjitha rastet së bashku dhe për të identifikuar çdo element të mundshëm të përbashkët”, deklaroi Leavitt. Në vitet e fundit, shumë shkencëtarë të lidhur me NASA-n, kërkimin bërthamor, programet hapësinore dhe projekte të klasifikuara janë zhdukur ose janë gjetur të vdekur.
Shumë prej tyre, përfshirë studiues nga Jet Propulsion Laboratory i NASA-s dhe nga Laboratori Kombëtar Los Alamos, kishin akses në informacione të rëndësishme për misione hapësinore, teknologji bërthamore ose sisteme të avancuara mbrojtjeje. “Shpresoj që të jenë vetëm rastësi, por do ta dimë brenda javës së ardhshme”, tha Trump, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Rasti doli sërish në pah pas zhdukjes së fundit të gjeneralit në pension të Forcave Ajrore, William Neil McCasland, 68 vjeç, i zhdukur më 28 shkurt nga shtëpia e tij në New Mexico. Ai u pa për herë të fundit duke dalë nga banesa e tij. Nuk kishte me vete telefon dhe syze, por vetëm një pistoletë. Gruaja e tij i tha policisë se burri kishte pamjen e dikujt që nuk donte të gjendej. Mënyra se si u zhduk ka risjellë në vëmendje katër raste të tjera misterioze, të ndodhura mes majit dhe qershorit të vitit të kaluar, të gjitha të lidhura me McCasland përmes punës së tij si mbikëqyrës i laboratorit kërkimor të Forcave Ajrore në bazën Wright-Patterson, që sipas disa teoricienëve konspirativë do të merrej edhe me teknologji jashtëtokësore.
Gjatë detyrës së tij, McCasland thuhet se ka mbikëqyrur dhe miratuar financimin për punën e shkencëtares Monica Jacinto Reza mbi një aliazh të avancuar për motorë raketash të quajtur Mondaloy. Reza, 60 vjeç, u zhduk ndërsa po bënte ecje në natyrë në zonën e egër të maleve San Gabriel, në Kaliforni, më 22 qershor, në shtegun drejt majës së malit Waterman. Steven Garcia, 48 vjeç, u pa për herë të fundit më 28 gusht. Edhe ai ishte larguar nga shtëpia e tij në Albuquerque, New Mexico, pa telefon dhe i armatosur me pistoletë. Të zhdukur janë edhe Anthony Chavez, 79 vjeç, dhe Melissa Casias, 54 vjeç, të cilët punonin të dy në Laboratorin Kombëtar Los Alamos, një nga qendrat më të rëndësishme të kërkimit bërthamor në vend.
Kësaj liste i shtohet vdekja e pesë shkencëtarëve: Amy Eskridge, 34 vjeç, e gjetur e vetëvrarë në Alabama, në qershor të vitit 2022. Para se të vdiste, shkencëtarja po kryente kërkime mbi teknologjinë anti-gravitacionale. Shkencëtari bërthamor Nuno Louriero, që punonte në MIT në Massachusetts, u vra nga një emigrant portugez më 15 dhjetor.
Një ditë më parë, autori Claudio Neves kishte qëlluar në Brown University, duke vrarë dy studentë. Viktimë e një vrasjeje thuhet se ka qenë edhe astrofizikanti Carl Grillmair, i vrarë me armë zjarri në shtëpinë e tij. Një person i dyshuar për vrasjen është arrestuar, por hetuesit thonë se hetimet janë ende në vijim. Shkencëtarët Michael David Hicks dhe Frank Maiwald, që punonin në Jet Propulsion Lab, kanë vdekur në rrethana misterioze.
Në total janë dhjetë persona, të cilëve mediat amerikane dhe rrjeti u kanë shtuar edhe një emër të njëmbëdhjetë, që në fakt nuk duket të jetë i lidhur drejtpërdrejt me të tjerët: ai i Jason Thomas, 45 vjeç, shkencëtar dhe studiues farmaceutik, i gjetur i vdekur muajin e kaluar në një liqen në Massachusetts pasi ishte zhdukur në dhjetor. Hetuesit nuk kanë përjashtuar asnjë pistë./La Repubblica


