Situata tensionohet në KZAZ-në nr. 30 në Kashar, ku ditën e sotme një nga sekretarët u dhunua fizikisht, duke shkaktuar ndërprerje të menjëhershme të procesit të numërimit të votave. Ngjarja ndodhi në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të tjerë, duke shkaktuar kaos në ambientet e shkollës ku zhvillohet procesi.
Për të monitoruar nga afër zhvillimet, në vendngjarje ka mbërritur kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, i cili ka ndjekur nga afër situatën.
Ndërkohë, një tjetër element shqetësues është raportuar nga mediat: brenda rrethimit të shkollës është konstatuar një automjet i parkuar, në të cilin ndodhej një kuletë me një shumë të konsiderueshme parash në kroskot. Prania e parave ka ngritur pikëpyetje për qëllimin dhe burimin e tyre në një zonë të ndjeshme gjatë procesit zgjedhor.
Lidhur me incidentin e dhunës, janë shoqëruar dy persona, njëri prej të cilëve është identifikuar si Rei Nozlli, 26 vjeç, vëzhgues i Ornaldo Rakipit. Sipas policisë, ai ka goditur me grusht sekretarin Remzi Mehmeti, duke shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit. Personi tjetër i përfshirë nuk është identifikuar ende publikisht.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë e ngjarjes, ndërsa pritet reagimi zyrtar nga KQZ për vijimin e procesit të numërimit në këtë zonë.


