Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, J. D. Vance, deklaroi në podkastin Benny Show se Uashingtoni do të vazhdojë operacionet në Iran “për pak kohë më gjatë”, me synimin për të neutralizuar Republikën Islamike për një periudhë “shumë, shumë të gjatë”.
Vance pranoi se rezultatet e arritura deri tani nga SHBA-të nuk do të jenë të përhershme, duke theksuar kërcënimet që lidhen me programin bërthamor iranian. “Ky vend na kërcënon në të gjitha këto mënyra. Ata ende po përpiqen të ndërtojnë armë bërthamore. Ne duhet t’i neutralizojmë ata për një kohë shumë, shumë të gjatë,” u shpreh ai.
Duke u ndalur te ndikimi i konfliktit në tregun global, Vance foli për rritjen e çmimeve të gazit, duke e cilësuar këtë efekt si “shumë të përkohshëm” dhe si një pasojë të përkohshme të konfliktit.
“Nuk jemi të interesuar të qëndrojmë në Iran pas një ose dy vitesh. Po bëjmë biznes. Do të dalim së shpejti dhe çmimet e gazit do të ulen përsëri,” shtoi ai.
Deklaratat e Vance konsiderohen ndër më të qartat nga administrata amerikane për qëllimet afatgjata në Iran dhe implikimet e tyre për stabilitetin rajonal dhe ekonominë globale.


