Rusia ka pezulluar për një afat të pacaktuar funksionimin e shtatë pikave kryesore kufitare me Bashkimin Europian, në bazë të një dekreti të firmosur nga kryeministri Mikhail Mishustin.
Vendimi, i cili ka hyrë në fuqi, ndalon qarkullimin e personave, automjeteve, mallrave dhe dërgesave tregtare në pika kufitare me Finlandën, Estoninë dhe Letoninë. Masat prekin rajonin e Leningradit, dy kalime në Kareli, pikat kufitare mes Shën Petersburgut dhe Finlandës, rajonin e Pskovit, si dhe kufirin ruso-leton.
Këto pika konsiderohen nyje të rëndësishme të transportit hekurudhor dhe tregtar mes Rusisë dhe Bashkimit Europian.
Dekreti i publikuar nga qeveria ruse nuk jep asnjë shpjegim mbi arsyet e kësaj mase, duke u kufizuar vetëm në njoftimin për pezullimin e aktivitetit në kalimet kufitare.
Vendimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Bashkimit Europian mbeten të tensionuara për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithatë, autoritetet ruse nuk kanë lidhur zyrtarisht mbylljen e kufijve me zhvillimet e konfliktit.
Analistët kanë ngritur disa hipoteza mbi motivet e mundshme të kësaj lëvizjeje. Një prej tyre është se Moska mund të jetë duke testuar masa më të gjera kontrolli kufitar, të cilat në të ardhmen mund të përdoren për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve rusë në rast të një mobilizimi të ri ushtarak.
Një tjetër interpretim lidhet me aspektin ekonomik. Përmes korridoreve hekurudhore me Finlandën transportohen edhe produkte si plehrat kimike ruse, të cilat nuk janë përfshirë në sanksionet perëndimore. Kufizimi i këtij tranziti mund të ndikojë në zinxhirët e furnizimit dhe të ushtrojë presion mbi disa tregje europiane.
Mbyllja e këtyre korridoreve mund të ketë pasoja edhe për vendet e Azisë Qendrore, si Kazakistani dhe Uzbekistani, të cilat përdorin rrjetin hekurudhor rus për të eksportuar mallra drejt porteve të Baltikut dhe tregut europian.
Rusia vijon ta justifikojë politikën e saj në lidhje me luftën në Ukrainë në kuadër të asaj që e quan “operacion ushtarak special”, ndërsa tensionet me Perëndimin mbeten në nivele të larta.


