Një 21-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët në Padova, i dyshuar për përfshirje në aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve italiane, i riu, banues në provincën e Breshias, mes komunave Este dhe Sant’Elena, ishte i njohur për policinë. Pas informacioneve të siguruara gjatë hetimeve, efektivët organizuan një operacion vëzhgimi për të lokalizuar automjetin që ai përdorte, të marrë me qira nga një kompani në Lombardi.
Arrestimi u krye në rrugën Via Principe Amedeo, në Este, ku 21-vjeçari u kap në flagrancë, ndërsa dyshohet se po i shiste një dozë kokaine një 31-vjeçari italian. Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti edhe 12 doza të tjera kokaine, si dhe një shumë parash të gatshme.
Operacioni vijoi në banesën ku shqiptari kishte qëndruar ditët e fundit në Sant’Elena. Me ndihmën e njësisë së qenve antidrogë të Torreglia-s, karabinierët sekuestruan rreth 360 doza kokaine të përgatitura për shitje, si dhe 3,365 euro cash, të ndara në kartëmonedha me prerje të ndryshme, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga aktiviteti i trafikut të drogës.
Në përfundim të operacionit, 21-vjeçari u arrestua dhe, me urdhër të Prokurorisë, u dërgua në burgun e Rovigos, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të mëtejshme ligjore.


