Tre sulme të koordinuara me bomba artizanale gazi kanë tronditur në orët e para të mëngjesit Selanikun, duke pasur në shënjestër banesat e tre figurave lokale të partisë në pushtet “Demokracia e Re”.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua në banesën e Afrodhiti Nestora, ku një mekanizëm shpërthyes ishte vendosur në një automjet të parkuar në hyrje të pallatit. Shpërthimi shkaktoi zjarr të fuqishëm dhe përhapje të madhe tymi në gjithë godinën.
Si pasojë, nëna e saj u plagos rëndë gjatë përpjekjeve për të shuar flakët. Ajo u transportua në gjendje kritike në spital dhe u intubua në repartin e terapisë intensive, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Vetë Nestora mbetet e shtruar në spital me djegie në duar dhe këmbë, si dhe vështirësi në frymëmarrje për shkak të thithjes së tymit. Babai i saj gjithashtu u dërgua për trajtim mjekësor me probleme respiratore, ndërsa gjendja e tij raportohet më e qëndrueshme. Disa banorë të tjerë të pallatit morën ndihmën e parë pas ekspozimit ndaj tymit.
Dy sulmet e tjera kishin në shënjestër banesat e kryetarit lokal të “Demokracisë së Re” në Selanik, Zisis Ioakeimovits, dhe ish-deputetit Savvas Anastasiadis. Në të dy rastet janë shkaktuar vetëm dëme materiale, pasi mekanizmat shpërthyes ishin vendosur në hyrje të pallateve ose në hapësira pranë tyre.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet dhe rasti po trajtohet nga Shërbimi Antiterror. Sipas të dhënave paraprake, sulmet janë kryer pothuajse njëkohësisht, ndërsa kamerat e sigurisë kanë fiksuar një të ri që dyshohet se ka vendosur një nga pajisjet shpërthyese.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike në Greqi. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis i dënoi sulmet, duke i cilësuar si akt terrorist, dhe vizitoi Selanikun i shoqëruar nga ministrat e Mbrojtjes së Qytetarit dhe Shëndetësisë. Ai deklaroi se shteti do të ketë “tolerancë zero” ndaj autorëve dhe se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.


