FIFA ka shprehur shqetësim për nivelin e lartë të gjuhës së urrejtjes dhe komenteve abuzive në rrjetet sociale gjatë fazës së grupeve të Kupës së Botës, ku janë përfshirë të 48 skuadrat pjesëmarrëse.
Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria e futbollit botëror, janë analizuar mbi 6 milionë postime dhe komente, prej të cilave 225 mijë i janë nënshtruar rishikimit manual. Nga këto, janë identifikuar rreth 89 mijë publikime abuzive.
FIFA bën të ditur gjithashtu se janë identifikuar rreth 1.000 llogari për hetime të mëtejshme, ndërsa 181 mijë komente me përmbajtje urrejtjeje janë fshehur automatikisht nga sistemet e moderimit.
Sipas raportit, abuzimi me përmbajtje raciste përbën rreth 11% të rasteve të identifikuara dhe mbetet forma më e rëndë e diskriminimit në rrjetet sociale. Krahasuar me Botërorin e Katarit 2022, kjo shifër shënon një rritje prej 3%.
Në total, gjatë ndeshjeve të fazës së grupeve janë moderuar mbi 2 milionë komente, përfshirë spam, përmbajtje ofensive dhe ndërveprime të krijuara nga llogari false apo bot-e. Kjo përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me turneun e kaluar.
FIFA thekson se që prej nisjes së këtij sistemi monitorimi, janë eliminuar mbi 30 milionë postime dhe komente abuzive në më shumë se 50 gjuhë, përmes Shërbimit të Mbrojtjes së Rrjeteve Sociale.
Ky shërbim ofrohet për lojtarët, trajnerët, arbitrat dhe ekipet pjesëmarrëse, duke synuar mbrojtjen e tyre nga sulmet diskriminuese dhe ofensive në platformat online.
Gjithashtu, FIFA ka bërë të ditur se janë dokumentuar mbi 100 raste që mund të kenë kaluar kufijtë ligjorë, duke u kaluar tek autoritetet për procedime të mëtejshme penale.


