Kanadaja do t’i bashkohet zyrtarisht Eurovision Song Contest në vitin 2027, duke u bërë vendi i parë i ri pjesëmarrës që nga hyrja e Australisë në vitin 2015, kanë njoftuar organizatorët.
Sipas Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), pjesëmarrja në festival nuk kufizohet vetëm për vendet evropiane, por është e hapur për të gjithë anëtarët e organizatës. Kanadaja iu bashkua EBU-së javën e kaluar, ndërsa Australia mbetet anëtare e asociuar.
EBU dhe transmetuesi publik kanadez CBC konfirmuan se Kanadaja do të dërgojë një përfaqësues në edicionin e vitit 2027, i cili do të mbahet në Bullgari në muajin maj. Lajmi u bë publik në Ditën e Kanadasë, një festë kombëtare në vend.
Presidentja e CBC-së, Marie-Philippe Bouchard, deklaroi se pjesëmarrja në Eurovision do t’i japë mundësi talenteve kanadeze të prezantohen në një nga skenat muzikore më të njohura në botë.
CBC pritet të njoftojë më vonë gjatë vitit mënyrën e përzgjedhjes së artistit përfaqësues, e cila mund të realizohet përmes një gare kombëtare ose përzgjedhjeje të drejtpërdrejtë nga transmetuesi.
Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, e cilësoi pranimin e Kanadasë si një tregues se, megjithëse konkursi ka lindur në Evropë, ai vazhdon të zgjerohet globalisht dhe të mirëpresë vende nga mbarë bota.
Edhe më parë, artistë kanadezë kanë marrë pjesë në Eurovision nën flamuj të tjerë, ku më e njohura mbetet Céline Dion, e cila fitoi konkursin në vitin 1988 duke përfaqësuar Zvicrën.
Eurovisioni i 70-të, i mbajtur së fundmi, pati pjesëmarrjen e 35 vendeve dhe u fitua nga këngëtarja bullgare Dara, çka bën që edicioni i vitit të ardhshëm të zhvillohet në Bullgari.
Në vitet e fundit, festivali është përballur edhe me debate politike dhe protesta lidhur me pjesëmarrjen e disa vendeve, përfshirë Izraelin. Disa shtete bojkotuan një prej edicioneve pas mos përjashtimit të tij nga gara.
Pavarësisht polemikave dhe luhatjeve në shikueshmëri, Eurovision vazhdon zgjerimin e tij ndërkombëtar, ndërsa është paralajmëruar edhe krijimi i një versioni të ri rajonal, Eurovision Asia, i cili pritet të zhvillohet në Bangkok në nëntor.


