Një skenë e pazakontë u regjistrua të mërkurën në New York, ku dy persona u ngjitën në majën e ndërtesës ikonike Empire State Building, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe autoriteteve.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, çifti, i cili mbante maska, realizoi një propozim për martesë në majën e godinës 443 metra të lartë. Pas momentit simbolik, ata shpalosën një banderolë me mesazhin: “Kur fuqia e dashurisë mposht dashurinë për pushtetin, bota njeh paqen.”
Ende nuk dihet se si dy personat arritën të ngjiteshin në një zonë me akses të kufizuar të një prej ndërtesave më të famshme në botë.
Policia e New Yorkut (NYPD) njoftoi se ka nisur hetimet për incidentin, i cili ndodhi rreth mesditës në ndërtesën e vendosur në Fifth Avenue. Autoritetet konfirmuan se nuk pati të lënduar.
Ndërkohë, në rrjetet sociale është shpërndarë edhe një video e regjistruar nga njëri prej protagonistëve, e filmuar në platformën pranë majës së ndërtesës.
Pas alarmit, në vendngjarje u angazhuan dhjetëra efektivë të policisë, përfshirë edhe Njësinë e Shërbimeve Emergjente, për të garantuar sigurinë dhe për të zbardhur mënyrën se si u realizua ngjitja në majën e Empire State Building.


