Italia vijon të përballet me një valë të fortë të të nxehtit, ndërsa temperaturat ekstreme kanë përfshirë një pjesë të madhe të Evropës.
Pavarësisht temperaturave që afrohen me 40 gradë Celsius, mijëra turistë vazhdojnë të vizitojnë Koloseun në Romë, duke sfiduar vapën përvëluese.
Pamjet nga kryeqyteti italian tregojnë ekipet e Mbrojtjes Civile teksa spërkasin me ujë vizitorët e mbledhur jashtë monumentit ikonik, ndërsa vullnetarët shpërndajnë shishe me ujë të pijshëm për t’i ndihmuar të përballojnë temperaturat e larta.
Shumë turistë ndalojnë për pak çaste për t’u freskuar, përpara se të vijojnë vizitën në sitin arkeologjik. Megjithatë, turmat nuk janë pakësuar, ndërsa masat e marra ofrojnë vetëm një lehtësim të përkohshëm nga i nxehti ekstrem.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesë persona kanë humbur jetën në Itali gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e valës së të nxehtit.
Të martën, 25 qytete të mëdha italiane u vendosën në “alarm të kuq”, niveli më i lartë i paralajmërimit për temperaturat ekstreme. Megjithatë, parashikimet meteorologjike tregojnë se nga pasditja priten reshje të dendura shiu në shumë zona të Italisë veriore, të shoqëruara në disa raste edhe me breshër, ndërsa të enjten moti i paqëndrueshëm pritet të shtrihet edhe në Italinë qendrore.
Ndërkohë, shumë bashki kanë vendosur të hapin muzeumet falas deri në përfundim të valës së të nxehtit. Së bashku me palestrat dhe qendrat kulturore, ato po shërbejnë si “strehë klimatike” për banorët dhe turistët.
Mediat italiane raportojnë gjithashtu se kërkohen masa urgjente edhe për çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve, pasi shumë prej tyre nuk janë të pajisura me ajër të kondicionuar dhe temperaturat në ambientet e brendshme kanë kaluar 36 gradë Celsius gjatë ditëve të fundit.
Afa da bollino rosso in tutta Italia. A Roma, per combattere il caldo, la Protezione Civile insieme a Roma Capitale distribuisce acqua, borracce, opuscoli e ombrellini in due punti intorno al Colosseo. Ma soprattutto si è dotata di un cannone nebulizzatore d’acqua preso d’assalto… pic.twitter.com/p407SWyo7r
— Radio Deejay (@radiodeejay) June 29, 2026


