Edvin Kulluri ka reaguar në lidhje me propozimin e kryeministrit Edi Rama për masa deri në mbylljen e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat, shkak i ngjarjes tragjike të ndodhur vetëm ditën e djeshme në Tiranë ku një 14-vjeçar, Martin Cani humbi jetën.
Nëpërmjet një postimi të bërë në rrjetet sociale, Kulluri shprehet se të mbyllësh rrejtet sociale është rruga më e shkurtër për të adresuar një çështje që ka tronditur shoqërinë tonë, ndërsa shtoi se këtu bëhet fjalë për jetën e të rinjve.
Postimi iplotë:
Dhuna tek të rinjtë dhe kriminaliteti në rritje nuk është çështje bllokimi të Tik-Tok apo Snapchat! Është çështje modeli jetese, jo vetëm në shkolla por edhe në rrugët e lagjet e qyteteve!
Nga ta nisësh më parë: nga të rinj që punojnë roje në shtëpitë e barit apo trafikojnë droge e lajnë hesapet në Shqipëri; nga hashashizimi i Shqipërisë në vitet 2015-2016; mundësitë e ulta që prodhon modeli ekonomik për të jetuar me punë; ekonomia e pastrimit të parave që ka pushtuar sektorin e ndërtimit dhe ekonominë; dhuna verbale dhe fizike që prodhojnë politika në parlament dhe media; dhuna që promovojnë mediat duke prodhuar pa fund debate dhe emisione për krimin; paaftësia e sistemit arsimor dhe policisë në parandalimin e dhunës në shkolla?
Të mbyllësh Tik-Tok dhe Snapchat është rruga më e shkurtër dhe mediokër për të adresuar një çështje që ka tronditur gjithë shoqërinë pas ngjarjeve të javëve të fundit! Nëse Rama mendon se “kaq ishte” dhe problemi u zgjidh, jo vetëm që nuk është zgjidhje por vetëm “më ka cu nana me la gojën”! Këtu bëhet fjalë për jetën e të rinjve që nuk ka më vlerë! Në qendër të politikës është njeriu dhe jo rrugët apo fasadat! Po humbim njeriun dhe do na mbetet tallavaja!


