Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një reforme të re ligjore për kontrollin dhe zhvillimin e territorit, duke e konsideruar këtë hap si pjesë të vizionit për “Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), kreu i qeverisë theksoi se qeverisja vendore, inspektoriatet dhe policitë bashkiake janë kthyer në bashkëfajtorë të ndërtimeve pa leje dhe zaptimeve të paligjshme të tokave.
“Toleranca ndaj tokave të zëna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qyteteve, që janë pranuar nga pushteti vendor si pjesë e jetës urbane, do të marrë fund”, u shpreh Rama. Ai shtoi se reforma do të jetë rrënjësore dhe do të synojë rikthimin e kontrollit mbi territorin.
Përveç kësaj, qeveria ka nisur paralelisht edhe disa reforma të tjera që përfshijnë:
-
Riorganizimin e sistemit të ujësjellësit;
-
Përmirësimin e menaxhimit dhe përpunimit të mbetjeve;
-
Ristrukturimin e furnizimit me naftë dhe barna;
-
Rritjen e cilësisë në shërbimin spitalor.
Rama e konsideroi këtë paketë ndërhyrjesh si gur themeli për mandatin e katërt të qeverisë dhe për përmbushjen e objektivit të madh kombëtar – integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.


