Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi me qytetarët në Skrapar, ka lëshuar një sërë deklaratash ironike ndaj kundërshtarëve politikë, duke përfshirë edhe opozitën e drejtuar nga Sali Berisha si dhe partitë e vogla që, sipas tij, synojnë vetëm vende në Parlament.
“Skrapari me dy deputetë do të ishte një kryevepër,” tha Rama, duke nxitur qytetarët të mbështesin Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.
Ai u shpreh me ironi për përpjekjet e opozitës për të fituar terren politik: “Në ‘92 populli nuk kishte zgjidhje tjetër, por sot është ndryshe. Bufin nuk e merr më askush në krah. Ata janë disa zogj të vegjël që kujtojnë se do e bëjnë detin kos dhe jetën vaj.”
Rama vijoi me sarkazëm: “Jepuni votën, dhe do ju thonë se nuk ka më çmime të larta. Thjesht duan të kapin ndonjë karrige në Parlament. Veç tyre është edhe Luli, i cili ka krijuar të vetmin ‘koalicion tek pull’. Kur e pyet sa parti ka në aleancë, të thotë: ‘shikoji në internet’.”
Kryeministri përmendi edhe figurat e dikurshme të mashtrimeve financiare si Sude, Vebiu dhe Xhaferri, për të ironizuar premtimet e paqarta të opozitës.
“Jepini forcë këtij vendi, mblidhni forcat përpara datës 11 maj,” përfundoi Rama, duke kërkuar angazhim të plotë elektoral nga mbështetësit në Skrapar.