Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit të ndodhur këtë të hënë në Kuvend, ku deputeti dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mori një kopje të marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e akuzoi Shehajn se ka “vjedhur” një dokument të klasifikuar dhe e cilësoi veprimin e tij si një shkelje të rëndë.
“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin”, shkroi Rama.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë sipas ligjit ndaj Shehajt, ndërsa shprehu keqardhje për punonjësen që u rrëzua gjatë ndjekjes së deputetit në shkallët e Kuvendit.
“Uroj, po nuk shpresoj, që Prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumenteve të klasifikuara këtij personazhi të mbushur me urrejtje. Ndërkohë, i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme dhe falënderoj Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit”, përfundoi Rama.


