Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca po përjeton situatën më të vështirë me zjarret pyjore që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, gjatë një vizite në Qendrën e Operacioneve të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Bordeaux, në rajonin e Gironde, zona më e goditur nga flakët.
Pasi u informua nga drejtuesit e shërbimeve të emergjencës, Macron falënderoi zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit dhe vendet partnere që kanë ofruar ndihmë në përballimin e krizës.
“Ky zjarr është i paprecedentë. Kemi një situatë më të vështirë se në çdo periudhë që nga Lufta e Dytë Botërore”, u shpreh presidenti francez.
Sipas tij, temperaturat e larta dhe moti i thatë gjatë javëve të fundit kanë rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes së zjarreve, duke e bërë situatën jashtëzakonisht sfiduese.
Macron paralajmëroi se javët në vijim do të jenë të vështira dhe bëri thirrje për angazhim të vazhdueshëm në luftën kundër flakëve.
“Duhet të jemi realistë. Javët e ardhshme do të jenë të vështira dhe duhet të vazhdojmë me vendosmëri. Çelësi është reagimi i shpejtë dhe qëndrueshmëria”, theksoi ai.


