Kryeministri Edi Rama deklaroi se gjatë vizitës së tij të fundit në Zvërnec është takuar me banorët e zonës, të cilët sipas tij nuk kanë kërkuar ndalimin e projektit të investimit, por kanë ngritur shqetësime që lidhen kryesisht me pronat dhe përfshirjen e tyre në procesin e zhvillimit.
Duke folur në sezonin e gjashtë të podkastit “Flasim”, Rama tha se takimi me komunitetin është i publikuar i plotë në rrjetet e tij sociale dhe, sipas tij, pasqyron realitetin e diskutimeve të zhvilluara në terren.
Kreu i qeverisë theksoi se në takim morën pjesë banorë dhe sipërmarrës lokalë që jetojnë dhe punojnë në zonë, duke shtuar se ata janë personat që preken drejtpërdrejt nga projekti dhe që kanë interesa konkrete lidhur me pronat, aktivitetet ekonomike dhe zhvillimin e ardhshëm të zonës.
Sipas Ramës, diskutimet u përqendruan te çështjet e pronësisë, procedurat ligjore dhe nevoja që banorët të jenë pjesë e procesit të zhvillimit. Ai nënvizoi se pretendimet për pronat duhet të trajtohen përmes institucioneve dhe proceseve ligjore përkatëse.
Kryeministri tha se biseda me banorët u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe se ajo që i bëri më shumë përshtypje ishte fakti që askush prej tyre nuk kërkoi ndalimin e investimit.
“Në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim ideja që ky investim duhet të ndalet. Përkundrazi, ndjeva shqetësimin që projekti të mos ndërpritet dhe që kjo mundësi zhvillimi të mos humbasë”, u shpreh Rama.
Debati për projektin në Zvërnec ka vijuar gjatë ditëve të fundit, me qëndrime të ndryshme mes mbështetësve të investimit, të cilët e konsiderojnë atë një mundësi zhvillimi ekonomik për zonën, dhe kundërshtarëve që shprehin shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe ekosistemin lokal.


