Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është rikthyer në Burgun e Durrësit pas qëndrimit për trajtim në QSUT, ku qëndroi për një muaj për shkak të temperaturës së lartë dhe një infeksioni të rëndë në lëkurë.
Burime nga Drejtoria e Burgjeve bëjnë me dije se pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, Beqaj u transferua sërish në IEVP Durrës, ku po vuan masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e abuzimit me fondet e BE në projektin SASPAC.
Beqaj është marrë i pandehur në dosjen “Sterilizimi”, ku akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Procesi gjyqësor po zhvillohet i veçuar nga të bashkëpandehurit, në Gjykatën e Posaçme nën drejtimin e gjyqtares Rudina Palloj.
Në të njëjtën gjykatë vijon edhe shqyrtimi paraprak i dosjes SASPAC, ku Beqaj mbetet gjithashtu i pandehur.


