Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas sulmit të ndodhur në mesnatë nga disa protestues të maskuar në ambientet e Komisariatit nr. 3.
Krahas një videoje ku shfaqen dëmet e shkaktuara në ambientet e komisariatit, ministri e cilësoi ngjarjen si pasojë të drejtpërdrejtë të dezinformimit dhe nxitjes së urrejtjes në hapësirat publike dhe rrjetet sociale.
Sipas Lamallarit, ngjarja është rezultat i një “cikli dhune” që nis nga deklarata të papërgjegjshme dhe vijon më tej me amplifikimin e tyre në rrjete sociale.
“Një shembull konkret i ciklit të dhunës që nis me urrejtjen e nxitur nga deklarata të papërgjegjshme… dhe ushqyer nga dezinformimi dhe manipulimi në rrjete,” shkruan ministri, duke shtuar se këto fenomene nuk kanë vend në një Shqipëri europiane.
Ai theksoi gjithashtu se vendi është më pranë se kurrë realizimit të aspiratës për integrim europian dhe se institucionet do të vijojnë punën për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.


