Vijon në Gjykatën e Tiranës seanca për caktimin e masave të sigurisë ndaj 21 protestuesve të arrestuar pas tensioneve të së enjtes pranë Kuvendit.
Pas dy ndërprerjeve, gjatë të cilave avokatët mbrojtës kërkuan kohë për t’u njohur me dosjet hetimore, trupa gjykuese ka larguar të pranishmit nga salla dhe është tërhequr në dhomën e këshillimit për të marrë vendimin.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, raporton se Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre nga 21 të ndaluarit.
Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për tre personat e dyshuar se kanë dëmtuar automjetin e Policisë gjatë protestës së zhvilluar pranë Parlamentit.
Pas përfundimit të seancës, një prej avokatëve mbrojtës deklaroi se arrestimet janë kryer në kundërshtim me ligjin.
“Është konstatuar nga ana e avokatëve, në mënyrë unanime, paligjshmëria e arrestit në flagrancë dhe mosvendosja e masës së sigurimit për këta persona. Gjykata është tërhequr në dhomën e këshillimit për marrjen e vendimit”, u shpreh ai.


