Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në Vau i Dejës, duke arrestuar një 38-vjeçar që transportonte një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë.
Operacioni i koduar “Remote” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrollit të një automjeti në fshatin Stajkë, efektivët gjetën dhe sekuestruan një minë me telekomandë të pajisur me celular për aktivizim në distancë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.
Në pranga ra Euglen Buraku, 38 vjeç, banues në Spitallë të Durrësit, ndërsa policia shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e dyshuar, E. P., 34 vjeç, banues në Durrës.
Sipas Policisë, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur destinacionin dhe qëllimin e transportimit të lëndës plasëse, si edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.


